Network Meeting
June 16, 2016Tiranë, Shqipëri (17 dhjetor 2015) – Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi (ATTSO) në mbledhjen e Bordit Drejtues të zhvilluar më datë 16 dhjetor 2015, ka vendosur unanimisht që Kryetar i Bordit Drejtues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi të zgjidhet z. Seyhan Pencabligil, ndërkohë që Zëvendës Kryetar u zgjodh Z. Bahadir Aksoy.
Në këtë mbledhje të zhvilluar, Bordi Drejtues falenderoi përzemërsisht Kryetarin e mëparshëm z. Hasmet Kurum, për punën e jashtëzakonshme të kryer gjatë themelimit të Dhomës dhe në vazhdim.
Në fjalën e mbajtur, Z. Pencabligil theksoi se “Turqia është partneri më i madh në shkëmbimet tregtare me Shqipërinë. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi do të ndihmojë në qëndrueshmërinë e aktiviteteve të bizneseve të të dyja vendeve, do të rrisë dhe diversifikojë investimet, do të asistojë sipërmarrjet dhe do të bashkëpunojë me sipërmarrësit e të dyjave vendeve, si dhe do të mbështesë dhe do të zhvillojë më tej biznesin dhe marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis dy shteteve.”
Z. Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit Drejtues të BKT që prej vitit 2000, është njëkohësisht Kryetar Nderi i Komitetit Kombëtar Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), Anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës së Bankave, Kryetar i Bordit Drejtues të kompanisë Albanian Leasing, Anëtar i Bordit Drejtues të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Nën drejtimin e tij BKT arriti të bëhet banka më e madhe në sektorin bankar, duke u përzgjedhur njëkohësisht si Banka më e mire në Shqipëri nga institucione prestigjioze ndërkombëtare per vite me radhë. Z. Pencabligil së fundmi është zgjedhur edhe Konsull Nderi i Pakistanit në Shqipëri.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi ka filluar aktivitetin e saj në vitin 2014. Aktualisht duke përfaqësuar më shumë se 1.5 miliardë euro në investime direkte, 1.1 miliard euro në kontrata sipërmarrjeje dhe më shumë se 10.000 mijë të punësuar, Dhoma ushtron aktivitetin e saj si organizatë jo – fitimprurëse e biznesmenëve profesionistë nga Turqia dhe Shqipëria. Dhoma ka për qëllim ngritjen në nivele më të larta të marrëdhënieve ekonomike, tregtare, sociale dhe kulturore në përputhje me pritshmërinë e dy vendeve.