Hızlı İletişim: +355 42 200 700
Log In

Në datën 25 Prill 2019, u mbajt takimi i Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi (ATTSO). Pjesë e takimit ishin; Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes z. Eduard Shalsi, Ambasadori i Turqisë në Tiranë SH.T.Z. M. Ahmet Yörük, Kryetari i Odës Tregtare Kosovaro – Turke z. Abdurrahman Balkız dhe Anëtarët e Bordit Drejtues të saj, Anëtari i Këshillit Drejtues të Bashkimit të Dhomave dhe Bursave të Turqisë z. Ömer Zeydan si dhe anëtarë të ATTSO.
Kryetari i Bordit Drejtues të Dhomës Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi (ATTSO), z. Seyhan Pencablıgil, u shpreh se ATTSO me 60 anëtarët e saj, ka arritur të jetë një organizatë jo-qeveritare nga më të rëndësishmet në vend dhe se ndihet krenar për kontributin e Dhomës në ekonominë shqiptare. “Detyra jonë është të çojmë akoma edhe më tej marrëdhëniet tregtare dhe industriale mes dy vendeve tona mike si Turqia dhe Shqipëria” tha ai.

Ndërsa Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë z. Yörük theksoi se: “Duke llogaritur edhe iniciativat e kohëve të fundit të kompanive tona në fusha strategjike si transporti ajror, arsimi dhe shëndetësia, vlera në treg e investimeve turke në Shqipëri, përfshirë shërbimet e sipërmarrjes, po i afrohet tre miliardë dollarëve. Këto investime janë një kontribut i rëndësishëm për prodhimin, punësimin dhe eksportin shqiptar. Numri i vëllezërve tanë shqiptarë të punësuar në firmat prodhuese turke në Shqipëri po i afrohet 15 mijë vetëve, ndërsa eksportet e tyre arrijnë në rreth 240 milionë dollarë. Vitet e fundit po vërehet një zhvillim i vrullshëm edhe në marrëdhëniet tregtare dypalëshe. Vëllimi ynë tregtar vitin e kaluar u shtua afër dhjetë për qind dhe arriti në 520 milionë dollarë”.
Anëtari i Këshillit Drejtues të Bashkimit të Dhomave dhe Bursave të Turqisë (TOBB) z. Ömer Zeydan shprehu falendërimet e përzermërta për ftesën dhe shtoi se: “Turqia i jep shumë rëndësi marëdhënieve me Shqipërinë. Historia, kultura, traditat dhe zakonet tona ushqehen nga i njëjti burim. Në të njëjtën kohë duam që edhe marëdhëniet ekonomike të dy vendeve tona të forcohen akoma edhe më shumë. Për këtë arsye, duhet të punojmë më shumë në mënyrë që të hidhen hapa konkrete në investimet dhe marrëdhëniet tregtare dy palëshe.”

Ministri i Sipërmarrjes Z. Shalsi, u shpreh se miqësia shqiptaro-turke daton shumë larg në kohë dhe se Turqia është një partner strategjik i Shqipërisë. Ai shtoi se Shqipëria po përpiqet që ta shndërrojë administratën publike në partnere reale të biznesit dhe se prioritet i punës është komunikimi me biznesin. “Ftesën e sotme e pranova me kënaqësi për të treguar se jemi pranë jush”. Ai e mbylli fjalimin e tij duke thënë se bizneset turke janë një komponent i pazëvendësueshëm në ekonominë shqiptare.
Kryetari i Odës Tregtare Kosovaro – Turke z. Balkız shprehu kënaqësinë e tij për marrëveshjen e bashkëpunimit të nënshkruar me ATTSO’n dhe shtoi se synimi i kësaj marrëveshje do të jetë përmirësimi i marrëdhenieve bashkëpunuese me vendet e rajonit.

Mbas fjalimeve të hapjes, u kënduan himnet kombëtare të të dy shteteve, dhe më pas u vazhdua me punimet e Asamblesë.
Në fund u organizua një koktejl, ku përveç anëtarëve të Dhomës morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme, partnerë dhe miq të ATTSO’s.

Share This: